Në zbatim të pikës nenit 31, pika 3 të Ligjit 23/2015 Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë 4, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, për nevoja të veçanta, shpall procedurat për shprehjen e interesit për punësimin e ekspertëve që kanë mbaruar studimet akademike me rezultate maksimale (më poshtë “ekselent”), në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë.

Lloji i diplomës: Shkenca Politike, Juridike, Ekonomike

Niveli minimal i diplomës : Master Shkencor

Afati për dorëzimin e dokumenteve                 20 prill 2019 

KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOHEN PËR APLIKIM

Ekspertët që kanë mbaruar studimet ekselent duhet të jenë të moshës 25 deri 35 vjeç të diplomuar në:

  1. Institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik dhe jopublik në Republikën e Shqipërisë;
  2. Institucionet e arsimit të lartë jashtë Republikës së Shqipërisë.

KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOHEN PËR APLIKIM

Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret si vijon:

  1. Të kenë përfunduar studimet universitare dhe pasuniversitare me mesatare 9.00 – 10.00 ose ekuivalent;
  2. Të jenë diplomuar në njërën prej fushave që i përket llojit të diplomës së kërkuar për pozicionet e përmendura në këtë shpallje;
  3. Të plotësojnë të gjitha kriteret për pranim në Shërbimin e Jashtëm të parashikuara në ligjin 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” ;
  4. Të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
  5. Të zotërojnë shumë mirë gjuhën angleze dhe një gjuhë tjetër ku të preferueshme janë gjuhët: frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, kinezisht, arabisht, serbisht-kroatisht, japonisht të vërtetuara nga institucionet e njohura dhe autorizuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

 

DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  1. Jetëshkrimi;
  2. Fotokopje të noterizuar diplomës/diplomave. Në rastin e diplomave të përfituara jashtë vendit, duhet të dorëzohet edhe dokumenti i njohjes së diplomës nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
  3. Fotokopje të noterizuar dëshmive të njohjes së gjuhës së huaj me nivelin përkatës;
  4. Fotokopje të noterizuar të listës/listat e notave;
  5. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  6. Vërtetim/dëshmi të gjendjes gjyqësore;
  7. Vetë deklarim që nuk bën pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike;
  8. Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër do të bëhet online, në adresën  dr.burimetnjerezore@mfa.gov.al.

 

REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT

Në datën 2 maj 2019, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të shpallë në https://punetejashtme.gov.al/category/shpallje/ si dhe në rrjetet sociale të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, listat e kandidatëve për testim duke i renditur ata sipas gradës shkencore dhe mesatares së notave.

MËNYRA E NJOFTIMIT DHE KOMUNIKIMIT ME KANDIDATËT

Kandidatët e përzgjedhur për testim do të njoftohen nëpërmjet publikimeve në  https://punetejashtme.gov.al/category/shpallje/ si dhe në rrjetet sociale të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të testimit si dhe për literaturën/tematikën mbi të cilën do të zhvillohet testimi.

MËNYRA E PËRZGJEDHJES SË KANDIDATËVE

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë brenda datës 20 maj testimin e kandidatëve.

Lista e kandidatëve fitues do të publikohet në https://punetejashtme.gov.al/category/shpallje/ si dhe në rrjetet sociale të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Categories: Njoftime