Pyetjet më të shpeshta


Dua të aplikoj, por nuk e di a konsiderohem student ekselent?

Nëse je një i sapodiplomuar në secilin prej cikleve të arsimit të lartë Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor, Doktor, në vitin 2017 e në vijim, me mesatare 9.00 – 10.00 ose ekuivalent, mund të aplikosh për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore. Kujdes: Studentët e ekselencës të cilët kanë përfituar nga kjo skemë punësimi (ju është lidhur një kontratë e përkohshme pune) në procedurat e zhvilluar gjatë vitit 2019, nuk kualifikohen për të aplikuar në këtë thirrje.
Jam ekselent i diplomuar në vitin 2017 e në vijim, si mund të bëhem pjesë e administratës shtetërore?

Aplikimet për vendet e lira në administratën shtetërore, bëhen online nëpërmjet punetembare.al platformës së dedikuar posaçërisht dhe terësisht punësimit të studentëve ekselentë dhe faqes së Departamentit të Administratës Publike (www.dap.gov.al). Për të aplikuar, duhet të krijosh një llogari personale dhe të ngarkosh të gjithë dokumentacionin që kërkohet në shpalljen përkatëse, duke filluar me procedurën e regjistrimit të kandidatit dhe duke ndjekur në vijimësi udhëzimet online në linkun më poshtë: http://hrm.gov.al/Regjistrohu.aspx.
Kur janë afatet për të aplikuar?

Njoftimi për vendet vakante ka afate të caktuara. Të gjitha këto detaje janë pjesë e shpalljes dhe duke klikuar mbi të do të mund të njihesh dhe me afatet.
Çfarë dokumentacioni më duhet për të aplikuar?

Për të aplikuar të duhen dokumentet e mëposhtme:
  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun:
http://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
  • Fotokopje të diplomës me të cilën ata dëshirojnë të aplikojnë. Në rastin e diplomave të përfituara jashtë vendit, duhet të dorëzohet edhe dokumenti i njohjes së diplomës sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
  • Listën/listat e notave, në të cilën përfshihet edhe mesatarja e ponderuar;
  • Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  • Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  • Dokumentacionin që vërteton angazhimet në aktivitetet ekstrakurrikulare, vullnetarizmi dhe skema mobiliteti.
Bazuar në pikën 5, të lidhjes nr. 1, të VKM nr. 586, datë 30/08/2019: (i) Aktivitete ekstrakurrikulare konsiderohen angazhimet në projekete të ndryshme, pjesëmarrje në konkurime apo olimpiada të ndryshme, pjesëmarrje në grupe pune konferencash apo punime konferencash; (ii) Aktivitete vullnetarizimi konsiderohen angazhimet në ofrimin e shërbimeve për të përmirësuar jetën e komunitetit për të cilat nuk përfitohet shpërblim monetar; (iii) Pjesëmarrje në skema mobiliteti konsiderohen zhvillimi i një periudhe studimi (semestër/vit akademik) në një institucion të arsimit të lartë jashtë vendit ku kryhen studimet (psh ERASMUS, etj). Mënyra e ngarkimit të dokumenteve është e përcaktuar në shpallje.
Cila është forma e dokumentacionit që do të vërtetojë angazhimet në aktivitetet ekstrakurrikulare, vullnetarizmit dhe skemat e mobilitetit?

Për të vërtetuar angazhimet në aktivitetet ekstrakurrikulare, vullnetarizmit dhe skemat e mobilitetit duhet të paraqitet një dokument zyrtar i lëshuar nga institucioni/organizata që ka organizuar aktivitetin ku kandidtati është angazhuar.
A mund të ngarkoj online në llogarinë time dokumentet fotokopje?

Në llogarinë e krijuar në faqen e Departamentit të Administratës Publike do të mund të ngarkosh online edhe fotokopje të dokumenteve. Më pas në momentin e punësimit në pozicionin e përzgjedhur, duhet të dorëzosh versionin origjinal ose fotokopje të noterizuara të dokumenteve pranë njësisë së burimeve njerëzore të institucionit në të cilin do të fillosh punë.
Jam diplomuar, por nuk kam marrë ende kartonin e diplomës. A mund të aplikoj? Si të veproj?

Nëse i ke përmbushur të gjitha detyrimet ndaj fakultetit përkatës për t’u pajisur me diplomë, përfshirë edhe mbrojtjen e temës, por të mungon kartoni, mund të aplikosh nëpërmjet një vërtetimi të lëshuar nga fakulteti. Ky vërtetim duhet të përmbajë listën e notave dhe të shpjegojë se je diplomuar dhe se ky vërtetim lëshohet për efekt mospajisjeje me karton.
Kam mbaruar ciklin e studimeve Bachelor, si student ekselent dhe momentalisht jam në master, të cilin e përfundoj gjatë kohës së punësimit 1 vjeçar. Nëse përzgjidhem dhe filloj punë, a do të kem ndonjë përfitim nga diploma shtesë, në këtë rast diploma master?

Në momentin e përfundimit të një niveli më të lartë diplome se ai për të cilin ke fituar vendin e punës, në pagë do të reflektohet rritja e pagesës që i përket komponentit “Paga e grupit” (psh. nëse diplomohesh në master profesional pagesa për komponentin “Paga e grupit” do të bëhet 11.000 lekë, nga 10.000 lekë që ishte kur zotëroje vetëm diplomën bachelor, pra do të përfitosh një shtesë prej 1.000 lekësh).
Zotëroj një diplomë në një degë të cilën nuk e gjej në asnjë nga shpalljet e publikuara në platformë. A do të kem mundësi aplikimi?
Në shpalljet e publikuara në platformë, janë përdorur edhe terma përgjithësues, p.sh. shkenca natyrore në të cilin përfshihen të gjitha degët si matematikë, biologji, kimi, etj. apo shkenca inxhinierike në të cilin përfshihen të gjitha degët e inxhinierisë, apo shkenca shoqërore ku futen të gjitha degët e tjera që nuk janë shkenca ekzakte si ekonomik, juridik, sociologji, filozofi, punë sociale etj. Pra nëse nuk gjen degën tënde sipas emërtimit që ke në diplomë, mund të aplikosh gjthësesi për shkak se do të përfshihesh në një nga grupimet me shprehje të përgjithësuara.
Nëse kam mbaruar ciklin e studimit master shkencor dhe nuk gjej një vend të dedikuar posaçërisht për këtë cikël studimi në portal, a mund të aplikoj?

Në shpallje është përcaktuar niveli minimal i diplomës. Pra nëse ke një nivel më të lartë diplome se ai i përcaktuar në shpallje mund të aplikosh.
Cila është metodologjia e përgjedhjes së pozicionit?

Për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara, studentët ekselentë të sapodiplomuar do të listohen mbi bazën e nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës dhe pikëve të grumbullura. Llogaritja e pikëve bëhet sipas metodologjisë së vlerësimit e cila bazohet në: (i) vlerësimi mbi bazën e mesatares së ponderuar; (ii) vlerësimi mbi bazën e nivelit të diplomës, vendit ku është kryer studimi dhe institucionit të arsimit të lartë; (ii) vlerësimi i angazhimeve të kandidatëve në aktivitete ekstrakurikulare, vullnetarizmi dhe skema mobiliteti. Për më shumë rreth metodologjisë së vlerësimit referojuni lidhjes nr. 1, të VKM nr. 586, datë 30/08/2019, të cilën e gjeni në ndarjen “Legjislacioni”, të këtij protali. E drejta e përzgjedhjes do të jetë sipas pikëve të grumbulluara, duke filluar nga ai me më shumë pikë. Në rastet e kandidatëve me pikë të barabarta, e drejta e përzgjedhjes përcaktohet si vijon:
  1. në rast se njëri prej kandidatëve i përket kategorisë së personave me aftësi ndryshe, atëherë ka të drejtë të përzgjedhë ai i pari në raport me kandidatët e tjerë;
  2. në rast se nuk mund të aplikohet alternativa e mësipërme, atëherë e drejta e përzgjedhjes përcaktohet me short në prani të tyre.

Po pasi kam aplikuar si vijon më tej procedura?
Pasi ke aplikuar:
  1. DAP-i, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dokumentacionit, bazuar në dokumentacionin e dorëzuar bën verifikimin paraprak të kandidatëve që përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara dhe krijon listën e kandidatëve të kualifikuar duke i renditur ata sipas pikëve të grumbulluara. Kjo listë publikohen në faqen e DAP-it dhe në platformën “punetembare.al”.
  2. DAP-i, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e krijimit të listës fillon të thërrasë studentët të cilët, duke filluar nga ai me më shumë pikë brenda grupit përkatës, përzgjedhin pozicionin ku duan të emërohen.
  3. Institucionet e administratës shtetërore lidhin kontratat e punës, sipas listës së dërguar nga DAP-i.

Si do të më komunikohet nëse jam përzgjedhur apo jo në pozicionet e shpalljes ku kam aplikuar?

  1. Kandidatët do të njoftohen online nëpërmjet publikimeve në faqen zyrtare të internetit të Departamentit të Administratës Publike, në platformën “punetembare.al” dhe me email, e konkretisht:
    1. Në të njëjtën shpallje të listës së kandidatëve të kualifikuar për secilin prej tyre do të përcaktohet edhe data, ora dhe vendi, i paraqitjes për përzgjedhjen e pozicioneve të punës.
    2. Kandidatët e kualifikuar do të njoftohen edhe individualisht me email në adresat e tyre elektronike.
    3. Kandidatët e skualifikuar (nëse ka të tillë), do të njoftohen individualisht me email, duke specifikuar edhe arsyen e skualifikimit.